Secondary Adv

Rivlerësimi i pronave me tatim 5 për qind, Tatimet: 140 mln euro kursim në 6 muaj

Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme me tatim të reduktuar 5 për qind po sjell përfitime të konsiderueshme për pronarët e pasurive në Shqipëri.

Sipas të dhënave të Administratës Tatimore, qytetarët kanë kursyer 140 milionë euro në kosto fiskale gjatë periudhës mars–gusht 2026, falë skemës së rivlerësimit të pronave.


Shifra përfaqëson përfitimin që kanë marrë tatimpaguesit duke përditësuar vlerën e pasurive të tyre dhe duke ulur ndjeshëm tatimin që do të paguajnë në rast shitjeje apo transferimi të pronës. Nga procesi i rivlerësimit mund të përfitojnë si individët që planifikojnë të shesin një pasuri të paluajtshme, ashtu edhe ata që kanë prona të regjistruara me një vlerë shumë më të ulët se ajo reale e tregut.


Në të dyja rastet, ligji parashikon një trajtim preferencial fiskal. Tatimi mbi diferencën e vlerës së pronës llogaritet me 5 për qind, në vend të 15 për qind që aplikohet në periudhat e zakonshme. Kjo e bën rivlerësimin një mundësi për të reduktuar ndjeshëm barrën tatimore për pronarët.


Dy alternativa për rivlerësimin e pronës


Udhëzimi për zbatimin e ligjit, i botuar në Fletoren Zyrtare në shkurt 2026, përcakton dy alternativa për individët. E para është rivlerësimi përmes Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, duke përdorur çmimet zyrtare të referencës. Alternativa e dytë është rivlerësimi nga një ekspert i licencuar, i cili përcakton vlerën mbi bazën e çmimeve reale të tregut.


Kjo u jep pronarëve mundësinë të zgjedhin mes një procedure standarde me çmime reference ose një vlerësimi më të afërt me tregun aktual.


Në Tiranë, individët që zgjedhin rivlerësimin përmes ASHK-së do të përfitojnë nga çmimet e referencës të miratuara në korrik 2023, të cilat pasqyrojnë më mirë zhvillimet e tregut të kryeqytetit. Ndërkohë, në rrethe, rivlerësimi vijon të kryhet me çmimet e referencës të vitit 2016.


Rritja e çmimeve të pronave shton interesin për rivlerësim


Rritja e fortë e çmimeve të pasurive të paluajtshme gjatë viteve të fundit, veçanërisht në Tiranë dhe në zonat turistike, ka bërë që shumë prona të kenë një vlerë të regjistruar shumë më të ulët se ajo e tregut. Pikërisht kjo diferencë është arsyeja kryesore pse rivlerësimi po shihet si një instrument me përfitim të drejtpërdrejtë financiar për pronarët.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat